Fjalimi i Z. Eduart Mezuraj
KULTURA SHQIPTARE ËSHTË PASAPORTA MË KONCEPTUALE DHE MË DELIKATE E IDENTITETIT TONË KOMBËTAR.
Gjithfuqishmëria dhe vitaliteti i artit dhe kulturës janë, pa asnjë dyshim, një nga simbolet më të qenësishme të vitalitetit të një kombi. Për mua, arti si dhe kultura shqiptare është pasaporta më fine, më konceptuale dhe më delikate e identitetit tonë kombëtar. Në këtë të vërtetë unë kam kërkuar e gjetur arsyen e pakundërshtueshme, që më ka nxitur të fokusoj në mënyrë konstante e të pakursyer energjitë dhe dëshirat e mia qytetare drejt përpjekjeve sadopak modeste për të mirën e vendit tim.
Në punën time hulumtuese gjatë fazës së përgatitjes për hapjen e këtij muzeu kam kuptuar që “Koleksionizmi është forma më tërheqëse dhe autoritative e Artit, është ndjenja që mund ta jetosh Artin vetëm duke e zotëruar atë. Arti është kërkesa e vetëpohimit të personalitetit nëpërmjet një proçesi vazhdues në materializimin e jetës nëpërmjet vlerave artistike”.
Vetëm një Muze, duke luajtur rolin e koleksionistit, mund të jetë në gjendje të krijojë dhe të shprehë vlerën reale të veprës, pasi vetëm ai njeh prejardhjen e saj dhe vlerën reale të autorit të veprës.
Janë shumë faktorë objektiv dhe subjektiv, individual apo të përgjithshëm real apo të supozuar që të shtyjnë të koleksionosh art. Në evidencë të të gjithave qëndrojnë tradita historike, zhvillimi kulturor dhe ekonomiko-social, kurioziteti, dituria, tendencat e hershme, prestigji, dëshira, aftësia e zbulimit të veprave artistike, të gërshetuara këto ndërmjet tyre drejt interesit artistik progresiv e bashkëkohor.
Mbledhja e veprave të artit është një lloj organizimi në vazhdim, i destinuar për të përmirësuar në mënyrë progressive aspektin artistik dhe vlerësimin ekonomik të veprës.
Mendoj që si institucion kemi qënë dhe mbetemi shumë të kujdesshëm dhe të informuar mbi kualitetet e veprave të artit që kemi në zotërim, duke ndjekur në vazhdimësi me vëmendje dhe me profesionalizëm treguesit objektiv të përzgjedhjes së veprave të artit tepër të sukseshme dhë dëshmitare të kulturës së kombit shqiptar.
EDUART MEZURAJ |