Email Shqip English
 
 
Logo
 
Logo
   
  NË FOKUS
 

Njoftim

Ju njoftojmë se mbas përurimit  të ekspozitës të koleksionit “Mezuraj” të piktorit të mirënjohur Helidon Haliti si dhe të botimit të katalogut të po këtij koleksioni  në datën 16-03-2009, Mezuraj Muze do të hapet për publikun e gjerë në datën
17 Mars 2009.
Orari i vizitave
09:00 – 18:00 nga e hëna deri të shtunën.
Hapur edhe ditët e festave.
E diela pushim
Hyrja 300 Lekë
(për të huajt 3 €).


Jeni të mirëpritur për të na vizituar!


***

Mezuraj Muze
Mars 2009

***

  TË TJERA
 
 Vizitë virtuale
 Publikime
 Blini online
 Karta e muzeve sipas ICOM
 

Arti figurativ
Pikturë

 

PIKTURA NË MUZEUN MEZURAJ

Koleksioni pikturik Mezuraj përfshin mbi 3500 zëra.  Por fondi themelor i koleksionit Mezuraj ka mbi 500 zëra të zgjedhur të një cilësie të lartë dhe origjinale.  Ky koleksion nis me një gravurë me ngjyra të Skënderbeut mbi kalë, pa autorë të identifikuar, të shek. të XVIII-të, përfshin piktura të fillimit të shek. të XX-të të mjeshtërve të traditës si Kolë Idromeno, Simon Rrota etj dhe përqëndrohet në tri subjekte kryesore, në tri personalitete të shquara të pikturës:

  • Koleksionin e piktorit Ismail Lulani
  • Koleksionin e piktorit Artur Muharremi
  • Koleksioni e piktorit Helidon Haliti
Këto janë koleksionet më përfaqësuese dhe tipologjike.  Por në koleksionin Mezuraj janë dhe vepra të piktorëve Gazmend Leka, Pano Kondo, Hasan Nallbani, Nestor Jonuzi, Fatmir Haxhiu, Ilia Xhokaxhiu, Moikom Zeqo etj.  Kështu gërshetohet tradita me pikturën bashkëkohore.  E veçanta e Mezuraj Muzeum është që koleksionet janë grumbullar në bazë të seteve të artistëve, të cikleve të artistëve, duke ruajtur vijimësinë, si psh. në rastin e Artur Muharremit të një krijimtarie gati të plotë të tre viteve rrjesht 2005-2008.  Koleksioni pikturik Mezuraj spikat për vlerat artistike dhe për individualitetet e ndryshme.  Ky koleksion është një dëshmi e forcës krijuese dhe e zhvillimit artistik.  Duhet thënë se për herë të parë në Shqipëri ndiqet në mënyrë institucionale dhe të licensuar krijimtaria e piktorëve.  Institucioni ynë ka vepruar me parametra botërorë të komunikimit me anë të licensave, të kontratave juridike, të pagesës së tatimeve si dhe të regjistrimit kartelor të të gjitha punëve të koleksionit në fjalë.
 
  • Artur Muharremi
  • Biografia
Enter gallery..
  56
Cikli Realist 1        
Enter gallery..
  33
Cikli Realist 2        
Enter gallery..
  54
Koha        
Enter gallery..
  9
Njeriu Manekin        
 
Enter gallery..
  52
Cikli Metafizik        
Kliko për të parë pikturat.
  13
Cikli i Kllounatës        
 
Pogradec 1958
 
Artur Muharremi është një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të ditëve tona. Krijimtaria e tij realizohet në periudhën përpara ndryshimeve politikedemokratike të shoqërisë shqiptare, në fundin e viteve ’90. Muharremi ka qenë ndër piktorët e paktë që me mjetet realiste të tablosë së tij të njohur “Para krijimit” (1989) “shkundte dhe paralajmëronte” shoqërinë komuniste shqiptare të kohës për krizën që e kishte mbërthyer.
Piktori Muharremi mbaroi studimet e larta për skenografi (1983) dhe dha një kontribut aktiv e mjaft të rëndësishëm si piktor – regjizor në zhvillimin, transformimin dhe ngritjen cilësore të filmit të animuar, me gjithë atë prirja dhe pasioni i tij mbetej piktura e kavaletit, veçanërisht tabloja kompozicionale. Më 1991 ai çel në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e parë vetiake. Në veprat e paraqitura në të mbizotëronte atmosfera metafizike, zbrazëtia si reflektim i situatës politike– sociale shqiptare. Pas kësaj piktori emigroi në Greqi. Në Athinë, krahas punës si piktor dhe krijues I spoteve publiçitare në një studio televizive private, Muharremi realizoi vepra të ndryshme në gjininë e nudos, pejzazhit e të kompozimit, të cilat i ekspozoi më vonë në Shqipëri, në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë, në ekspozitën e dytë vetiake (1996).
Piktori Artur Muharremi është një piktor me një krijimtari të gjerë e të rëndësishme për artin bashkëkohor shqiptar. Tablotë e tij të realizuara në formën e cikleve piktorike janë mjaft interesante për konceptimin filozofik të jetës dhe të fenomeneve të saj. Ai është një piktor alegorik dhe shumë i përpiktë në realizimin e saktë të çdo detaji të tablove të tij. Muharremi krijon situata piktorike me lëvizje të brendëshme. Tablotë dhe pikturat e tij kanë kaluar faza të ndryshme zhvillimi dhe konsolidimi, deri sa ai ia ka dalë të formohet si individualitet artistik i veçantë, që shpalos përpara publikut mesazhe të shumta artistike me anë të përdorimit të teknikave bashkëkohore të pikturimit dhe të mjeteve komunikuese figurative. Konstruksionet e peizazheve të ndërtuara e të realizuara në tablotë e tij janë nga më të çuditshmet. Ato herë të kujtojnë skena, e herë ngjarje e pamje të një bote të lashtë e të panjohur. Autori i vlerëson në çdo rast elementët përbërës të tablove me realizëm, për të gjetur metodën e përshtatshme të realizimit sa më profesional të formës së zgjedhur. Ndër ciklet kryesore të piktorit Artur Muharremi veçohen “Muzikantet”, “Nudot”, “Natyrat e qeta”, “Mitet dhe legjendat” dhe “Jeta e rrugës”. Penelatat e tablove të piktorit Muharremi janë ekspresive dhe krijojnë imazhe me gjallëri shpirtërore, që here - herë kalojnë në gama të ngrohta, ku drita ndihmon në  “leximin” e formave të buta të personazheve të tij monumentale, e herë herë të tjera në gama piktorike “të ftohta”, ku magjija e ngjyrave arrin të mjegullojë shikimin e spektatorit dhe ta zhytë në mendime të thella.
Muharremi mund të konsiderohet si piktori shqiptar i nudove. Tablotë e tij me këtë temë janë nga më të bukurat dhe ndërthurjet kompozicionale të tyre pranojnë fantazi krijuese herë magjike, dhe herë misterioze. Shpesh herë figurat e xhveshura qëndrojnë madhërisht, në një qetësi mpirëse ku melankolia ndërthuret me një bukuri e plastikë klasike pothuajse skulpturore. Shpesh në tablo është i njëjti personazh femëror, njësoj si muza e një poeti që rri pranë tij e që e drejton me magjinë e saj në ”botën piktorike të fantazisë së pa cak”. Tablotë e Muharremit kanë brenda tyre magji, mister dhe bukuri të pafund. Çdo detaj i tyre është “lëmuar e përkëdhelur” nga peneli e shpirti i tij.
Sfondet e tablove të tij, si në natyrat e qeta me fruta ashtu dhe në ato figurale, janë abstrakte e formale, duke krijuar kështu një atmosferë thuajse jashtëtokësore. Shpesh figurat e tablove të tij duken si ninfa e personazhe të bukur e të panjohur. Magjija e tyre është tronditëse, për shkak të fuqisë imponuese që zotërojnë, edhe pse qëndrojnë të qeta në pozicione shpesh herë të çuditshme. Pa dyshim, cikli i nudove është cikli më i gjerë i piktorit Muharremi, i cili vazhdon të jetë ende i joshur prej tyre. Ai numëron mbi 1000 tablo. Veprat e piktorit Artur Muharremi bëjnë pjesë në fondin e GKA, Tiranë, në fondin e “MEZURAJ MUZE”, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë.
 
  • Helidon Haliti
  • Biografia
Kliko për të parë pikturat.
  8
Legjenda e Rozafës        
Enter gallery..
  6
Konstandini dhe Doruntina        
Kliko për të parë pikturat.
  4
Nudo        
Kliko për të parë pikturat.
  3
Kalorësi        
Kliko për të parë pikturat.
  14
Peisazhe        
Kliko për të parë pikturat.
  13
Portrete        
Kliko për të parë pikturat.
  9
Kompozim        
 
 
Lushnje 1968
 

Artisti i ngjan rrjedhës së lumit që nuk gjen prehje, por vijon rrjedhën e tij në kërkim të detit… Por në ndryshim nga lumi, që vërshon nga lart poshtë, artisti vërshon majave; ai nuk zbret, ai ngjitet lartësive të shpirtit, të zemrës dhe mendjes njerzore dhe shtrihet në të gjithë kozmosin e në mikrokozmosin e njeriut. Artisti nuk pranon as kufij, as prehje; ai pushton vazhdimisht brigje të reja … Ai është vazhdimisht  në lëvizje dhe kërkim … Helidon Haliti Helidon Haliti është një ndër piktorët e rinj bashkëkohorë Shqiptarë që janë  dimplomuar pas viteve’90 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Studentët e pikturës së atyre viteve patën mundësinë e zbatimit të lëndëve dhe të metodave bashkëkohore të mësimdhënies nga ana e profesorëve shqiptarë dhe e lektorëve të ftuar nga Franca, Italia, Zvicra, etj.
Realizimi në këto vite I veprave dhe I ekspozitave të artit modern dhe eksperimentimet e ndryshme, që më parë nuk lejoheshin, por dënoheshin si “herezi”, ndikuan fuqishëm në formimin e këtij brezi të ri artistësh. Të kësaj periudhe janë ekspozita e përbashkët pedagogë – studentë në GKA (1993), kontaktet dhe vizitat në Muze e Galeri jashtë Shqipërisë, si dhe kërkesat e studentëve për një art më të lirë, sipas modeleve europiane e më gjerë. Kjo atmosferë e një lirie të pritur nga të gjithë artistët, veçanërisht nga brezi më i ri i tyre, ka ndikuar edhe në formimin e piktorit Haliti qysh kur ai ishte student.
Piktori Haliti ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1984, në një ekspozitë kombëtare, si dhe në Ekspozitën e të Rinjve në Oslo, Norvegji (1985), ku është vlerësuar me dy çmime për akuarelet e paraqitura prej tij. Haliti ka qënë në vazhdimësi I pranishëm në shumë ekspozita brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, veçanërisht në Greqi, ku ai jeton dhe krijon aktualisht. Haliti realizon vepra në gjini dhe teknika të ndryshme. Drama e emigracionit dhe tronditjet shpirtërore që ai përjeton si emigrant, janë pasqyruar në disa cikle piktorike të tij, si tek “Këmbët”, ”Pëllumbi”, ”Kafazi”, ”Eva dhe Adami”,
etj. Duke u prirur të ruajë dritën e natyrës shqiptare në tablotë e tij, Haliti pikturon me ngjyra potente dhe krijon vepra që rrezatojnë ngrohtësi shpirtërore, bukuriestetike dhe mjeshtëri artistike.
Fabula e Halitit komunikon lehtësisht me publikun për faktin se, edhe pse veprat e tij shpalosin mesazhe dhe japin ide, imazhet që zgjedh piktori janë marrë nga jeta dhe natyra. Në ciklet “Pema” dhe “Stinët” piktorin rezulton më pak ramatik. Poezia dhe lirizmi zënë më shumë vend në ciklet e tij të fundit, duke nxjerrë në pah aftësitë e Halitit si kolorist e mjeshtër delikat I ngjyrës, si artist me vizione moderne në zgjidhjet e kompozimeve të tij, në të cilat, krahas formave dhe lementeve figurative formalë, dallohet vizatuesi i saktë e mjaft intuitiv në pikëpamje të zgjedhjes së materialeve e strukturave bashkëkohore më të përshtatëshme (Adami dhe Eva). Tablotë e Halitit herë të mbërthejnë përpara tyre për të “lexuar” mesazhin që përmbajnë, e herë të ftojnë të “futesh” brenda tyre për të ecur pas piktorit “që rend” nëpër labirinthet e fantazisë së një bote të krijuar prej penelit të tij. Tablotë e piktorit Helidon Haliti janë të bukura nga që brenda tyre ka sinqeritet dhe dashuri. Veprat e piktorit Helidon Haliti janë pjesë e koleksionit të “MEZURAJ MUZE“ si dhe të mjaft koleksioneve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
 
  • Kole Idromeno
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Kole Idromeno        
 
Shkoder 1860-1939
  Idromeno është themeluesi i shkollës shqiptare të pikturës realiste të shekullit XIX - XX. Mësuesi i parë i Idromenos ka qenë Pietro Marubi, piktor, arkitekt e fotograf, emigrant italian me banim në Shkodër.Vizatimet dhe akuarelet e tij të para datojnë në vitet 1871-74. Me këmbënguljen e Marubit, Idromeno shkon në Venecia në vitin 1875 për të ndjekur
studimet për pikturë. Ai frekuenton Akademinë e Arteve për gjashtë muaj me radhë. Pas shkëputjes prej saj, nuk largohet nga qyteti, por qëndron për tre vjet të tjerë në studion e një piktori venecian, si ndihmës I tij. Gjatë qëndrimit në Itali Idromeno njihet me veprat e mjeshtërve të mëdhenj venecianë të Rilindjes - Krivelin, Mantenjan, Belinin, etj.
Piktori Kol Idromeno u kthye në Shqipëri në vitin 1878, vit kur u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Në Shkodër Idromeno bëhet pjesëmarrës aktiv i lëvizjes antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë. Kolë Idromeno I bashkohet rrethit të intelektualëve përparimtarë të kohës, ku bënin pjesë Filip Shiroka, Mati Kodheli (Marubi), Ndre Mjeda, etj. Në vitin 1897 autoritet turke e internojnë në qytetin e Ulqinit për shkak të ndjenjave të tij të hapura antiosmane. Në Ulqin qëndron një vit. Kolë Idromeno përjetoi dy periudha të rëndësishme për historinë e Shqipërisë: Rilindjen dhe Pavarësinë Kombëtare. Veprimtaria e tij krijuese në pikturë ka qenë e gjerë dhe e shumëanëshme. Ai ka realizuar peizazhe, portrete, kompozime, vizatime dhe akuarele me temë kryesisht qytetare. Në portretet e realizuara prej tij gjejmë edhe portretet e intelektualëve, klerikëve dhe patriotëve të njohur të kohës, përveç miqve, të afërmve dhe pjesëtarëve të familjes së tij. Në vitin 1883 pikturon tablonë “Motra Tone”, që është dhe vepra e parë realiste. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti që kjo tablo është një kryevepër e pikturës shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Idromeno ishte një figurë interesante dhe komplekse: I pëlqente muzika, luante në trompë në bandën muzikore të qytetit, realizonte dekoret e shfaqjeve teatrale, bile ka qenë edhe piktor i karnavaleve të famshme të Shkodrës për një kohë të gjatë (1917-36). Më 1885 hapi studion e tij fotografike; më 1912 solli për herë të parë në Shqipëri një pajisje për shfaqje filmash, pasi kishte lidhur një marrëveshje me vëllezërit francezë Lumiere. Idromeno ishte urbanist dhe arkitekt projektues I rreth 50 ndërtesave publike, industriale dhe I vilave private, midis të cilave kinema Rozafa, Banka e Shtetit, Kafja e Madhe etj. Idromeno I ka ekspozuar veprat e tij në Romë, Budapest, Vjenë, Bari dhe New Jork (1898 - 39).
Në realizimet e tij artistike në pikturë, Idromeno përdor një penelatë uniformë koloristike, pa shumë kontraste, duke shpërndarë një dritë të qetë në tablotë e tij. Idromenos i pëlqente realizmi fotografik. Në tablotë e tij, përveç portreteve të njerëzve të familjes, gjenden dhe portrete të miqve dhe njerëzve nga shtresa e pasur e qytetit, veshur në kostume tradicionale shqiptare. Pas tablove të para me temë fetare “Rrugët e jetës”, “Fluturimi i Zojës”(1890 - 96) etj, Idromeno pikturoi tema nga historia, jeta dhe zakonet tradicionale të popullit, të tilla si “Portreti i Skënderbeut”, “Dasma hkodrane”,
“Plaku i Postribës”, “Oborr shtëpie shkodrane” etj.
Në këtë mënyrë ai hap i pari rrugën e pikturës realiste laike në Shqipëri. Për këtë arsye Idromeno vlerësohet si piktori më i rëndësishëm i pikturës realiste shqiptare të shekullit të XX. Tabloja “Portreti I Shtefën Gjeçovit” bën pjesë në ciklin e portreteve që Idromeno ka pikturuar nën ndikimin e shkollës italiane të pikturës. Figura e klerikut dhe patriotit të mirënjohur Gjeçovi, paraqitet me pamje të pjesëshme ballore, në formën e një busti, me veshjen karakteristike të priftit franceskan. Tabloja përshkohet nga një dritë e qetë, që e ka burimin në anën e majtë të saj. Idromeno e ka pikturuar portretin e Gjeçovit me penelata të ngrohta, duke realizuar me delikatesë të veçantë kalimin dritë – hije dhe duke u përqëndruar më shumë tek sytë dhe tek shikimi i tij. Në këtë mënyrë ai ia ka dalë të krijojë një portret psikologjik dhe mjaft komunikues. Duket se Idromeno e ka krijuar këtë vepër në vitet e para të shekullit XX.

 

 
  • salvat....chr
  • Biografia
Enter gallery..
  1
salvat....chr...        

******Coming soon******

 
  • Ismail Lulani
  • Biografia
Kliko për të parë pikturat.
  19
Ismail Lulani        
 
Tuz (Montenegro),1933-Shkoder, 2002
  Ismail Lulani është lindur në Tuz (Republika e Malit të Zi) më 26 Mars 1933. Pasi kryen shkollën fillore në vendlindje, familja e tij vendoset me banim në Shkodër. Aty kryen studimet e mesme për mjekësi, pastaj i kushtohet plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë, pikturës. Miqtë e tij, piktorët Angjelin Dodmasej dhe Franc Ashiku, e nxitin të futet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1964 -68), në ateljenë e pikturës që drejtohej nga artistët Nexhmedin Zajmi dhe Sali Shijaku. Duket se realizmi i thellë i Zajmit dhe ekspresiviteti i Shijakut “gjetën hapësirën e duhur” në intuitën artistike dhe ndjenjën e papërsëritshme të ngjyrës potente të Lulanit, që plotësohet hapa pas hapi, nga njëra tablo e tij në tjetrën, me të famshmet “njolla të shpërndara e plot dritë”.

Në veprat e tij, sidomos rreth viteve ’80, ndihet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike që e bën Lulanin të evidentohet nga tabloja në tablo me një stil të veçantë piktorik, që priret drejt dekorativitetit, kapjes së motiveve të veçanta dhe zgjedhjes së mënyrës së vizatimit të personazheve.
Vepra artistike e piktorit Ismail Lulanit gjatë më shumë se 30 vjetëve krijimtari është e gjerë dhe e larmishme. Ai pikturon portrete, peizazhe dhe tablo kompozicionale me temë historike e sociale.Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ka qenë një peizazh nga Hidrocantrali i Vaut të Dejës (1969). Pas kësaj Lulani do të ishte i pranishëm me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat e konkurset lokale dhe kombëtare.Temat e cikleve piktorike të Lulanit janë frymëzuar nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia), baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), historia e popullit Shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica), nga shumë figura dhe ngjarje të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga periudha e ndërtimit të socializmit dhe, veçanërisht, nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë.
Piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet në pikturën shqiptare si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, me personazhe-figura që vizatohen në mënyrë të stilizuar, si një artist që joshet pas jetës së njerëzve të thjeshtë.
Pas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore Shqiptare, që e ka tërhequr dhe më parë shpirtin e tij artistik. Me këto motive Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh, që mund të grupohen sipas stinëve të vitit, etj, të tilla si cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit dhe cikli i bariut të dhive. Piktura e Lulanit ka një freski koloristike, që duket se buron edhe nga kontaktet e artistit me natyrën si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe në dekorativitetin e veprave të tij. Lulani i trajtoi motivet shqiptare të tablove të tij nga disa këndvështrime. Ai mund të quhet me të drejtë si piktori i Shqipërisë së Veriut.
Përveç tablove historike, që paraqet në ekspozitat Kombëtare të para viteve ’90 (“Dedë Gjo Luli”, “Shote Galica”, “Çast beteje”, “Malësori”, etj), Ismail Lulani” dashurohet” këmbë e kokë me peizazhin Shqiptar. Në mënyrë të veçantë, element mbizotërues i peizazheve të tij, përveç bukurisë natyrore, është “motivi baritor”. Siç duket artisti ndihet i lidhur me këtë motiv për shkak të jetës së vështirë dhe të thjeshtë të malësorit – bari në malësi. Figura e barinjve të tij ka krijuar një “personazh – imazh”, që e showhim të shfaqet herë në një tablo e herë në tjetrën. Ai është një figurë tërheqëse, më shpesh i moshuar, me veshjet popullore të zonës, të cilin artisti preferon ta pikturojë në mes të dëborës e të dhive të tij. Zakonisht ky personazh paraqitet duke ecur, me pamje nga prapa. Në përgjithësi vërejmë se veprat e Lulanit pas viteve ’90 nisin të kenë një notë të lehtë dramatike, një trishtim dhe heshtje që shpesh japin mesazhe të rëndësishme. Me gjithë atë në veprat e tij magjija ndërthuret me misterin, drita e natyrës me dritën e shpirtit dhe peizazhi dimror me peizazhin vjeshtor. Në ‘to ndrit i njëjti diell' si në legjendat Shqiptare.
Veprimtaria krijuese e Ismail Lulanit shtrihet në sisteme të ndryshme shoqërore. Ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit XX.

 
  • Fatmir Haxhiu
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Fatmir Haxhiu        
 
Tiranë 1927 – 2001
Piktori Fatmir Haxhiu është një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të pikturës së realizmit socialist Shqiptar. Ai është lindur në Tiranë në vitin 1927 dhe ka marrë pjesë në lëvizjen antifashiste të rezistencës, të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare (1941-42). Më pas ai bashkohet me ushtrinë Nacional-Çlirimtare për të luftuar me armë në dorë kundër nazifashizmit (1943). Pas çlirimit Haxhiu studioi për artileri në shkollat ushtarake të Beogradit e Zagrebit (1945-48), pastaj u kthye në Shqipëri, ku shërbeu si oficer I ushtrisë. Në vitin 1960 e braktisi karrierën ushtarake kur ishte me gradën e nënkolonelit, për t’iu kushtuar pasionit të tij të hershëm për artet figurative.
Haxhiu ka bërë pjesë në grupin e parë të studentëve që mësuan në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1961 - 65).
Fatmir Haxhiu është përgjithësisht një piktor “batalist”. Me punën e diplomës “Kalimi I Divizionit të I në veri”, ai filloi ciklin e tablove kompozicionale me temë luftarake e historike: “Skroskë1943” (1966), “Parti, rrofsh sa malet” (1968), “Këshilltarët e Hekalit” (1971), ”Në ditët e mësymjes pranverore” (1977), “Ismail Qemali” (1979), etj. Krahas tablosë me temë historike “Skënderbeu”, Haxhiu ka krijuar shumë vepra mbi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare dhe komandantët e saj, të tilla si “Çajmë rrethime”, 1984; ”Fitimtari”, 1979; ”Odriçan 1944”, 1984 etj. Një pjesë të krijimtarisë së tij Haxhiu ia ka kushtuar temës së ndërtimit të shoqërisë socialiste, veçanërisht me tablotë “Në lëmë” (1977), ”Gjirokastra” (1973), ”Peizazh me varka” (1981), etj. Krijimtaria e piktorit Haxhiu në ciklin e tablove me temë historike paraqet rëndësi të madhe për faktin se nëpërmjet mjeteve realiste piktorike ka mundur të krijojë vepra që pasqyrojnë ngjarje kulminante të historisë së Luftës Nacional-Çlirimtare. Zakonisht tablotë e Haxhiut janë shumë figurëshe dhe piktori tregon kujdes të veçantë për përpunimin deri në detaje të secilës figurë. Drita që përshkon tablotë e Haxhiut është natyrale dhe tablotë tij kanë thellësi dhe ajër.
Pas viteve ’90 Haxhiu realizoi një cikël peizazhesh kryesisht me stinën e vjeshtës, pastaj iu kthye përsëri temës historike mbi jetën dhe betejat e shumta të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Krijimtaria artistike e piktorit Fatmir Haxhiu në gjysmën e dytë të viteve ’60 ka luajtur një rol të rëndësishëm në artet figurative shqiptare, përsa I përket realizimit të tablove në përmasa të mëdha dhe me prirje të qarta monumentale me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore.
Metoda e tij krijuese, e pasqyruar në vazhdimësi në veprat e realizuara prej tij, tematika e zgjedhur dhe mjetet artistike që ai përdorur, e vënë piktorin Fatmir Haxhiu në grupin e piktorëve që kanë ushtruar një ndikim të fuqishëm mbi konsolidimin e artit të realizmit socialist në Shqipëri.
Fatmir Haxhiu ka një koleksion me vepra në fondin e GKA, Tiranë, në fondin e “MEZURAJ MUZE”, si dhe në mjaft koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tabloja “Fushatë korrjesh”, 1976 është një nga veprat e pakta që piktori ia ka kushtuar temës së fshatit në vitet ’80. Në të paraqiten në plan të parë tri figura, një djalë dhe dy vajza, të cilët kanë ardhur nga qyteti së bashku me persona të tjerë për t’u ardhur në ndihmë kooperativistëve për korrjen e grurit. Edhe pse realizohet me mjete realiste, tabloja ka elemente dhe figura simbolike. Peizazhi I fushës së gjerë me grurë simbolizon begatinë e prodhimit bujqësor në fshatin socialist, ndërsa figurat e dy vajzave që pozojnë të qeshura në plan të parë në këmbë, si dhe djali i ri përpara tyre simbolizojnë solidaritetin me fshatarësinë dhe gëzimin që u jep puna që kanë ardhur të bëjnë “vullnetarisht”. Tabloja ka vlera kryesisht historike, si dëshmi e artit të politizuar të viteve ’80 në Shqipërinë komuniste të asaj periudhe.
 
  • Gazmend leka
  • Biografia
Enter gallery..
  6
Gazmend Leka        
 
Tiranë 1953
Gjithmonë e kam konsideruar pikturën si një lutje të gjatë, që fillon çdo ditë me lindjen e diellit. Ky rit më ka shoqëruar në udhëtimin tim për të zbuluar e për të gjetur GJUHËN E VJETËR, gjuhën e humbur, që e dija dikur përpara RËNIES, kur i flisja gurit, pemës, frutit, gjarpërit.
Kjo lutje bëhet dita me ditë më e thellë, më e brendëshme e më lejon t’u flas lirshëm gjërave që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre bëjnë krijimet e mia njëra pas tjetrës.” Prof. Gazmend Leka, Piktori i Vitit 2005. Piktura e misterit filozofik. Piktori Gazmend Leka është një nga personalitetet e pikturës bashkëkohore shqiptare. Pas kryerjes së studimeve të larta në atelienë e grafikës, të drejtuar nga Pandi Mele dhe Vlash Prifti, caktohet piktor skenograf në Pallatin e Kulturës në Berat.

Më pas, së bashku me piktorin Bashkim Ahmeti, kryesuan grupin e piktorëve që projektuan dhe realizuan interieret e Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Krujë (1980-1982), e që e bënë ndër muzetë më të rëndësishëm e më të vizituar në Shqipëri. Pas kësaj Leka caktohet udhëheqës artistik I animacionit në Kinostudion Shqipëria e Re (1982-1991), ku dha një kontribut të rëndësishëm në transformimin conceptual dhe në futjen e teknikave bashkëkohore, duke e bërë filmin e animuar shqiptar pjesëmarrës në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga viti 1991 e në vazhdim Leka është pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura. Duke qënë një vizatues virtuoz dhe një piktor gjithmonë në kërkim të teknikave të reja të pikturimit, ai ka realizuar rreth 4000 vepra që sot ndodhen në koleksionin e studios së tij si dhe në koleksione private brenda e jashtë Shqipërisë. I pajisur me një fantazi të jashtëzakonëshme e me kulturë të gjerë, i pasionuar pas misterit (alkimisë, astrologjisë, simbolikës, teologjisë) dhe teorive filozofike, miteve, legjendave dhe magjisë së ngjyrës, Leka eksperimentoi për shumë vjet me radhë në kërkim të personalitetit të tij dhe i mbushi me fuqi imazhet e subjekteve të tij. Në realizimet artistike të piktorit Leka, qofshin ato vizatime, pikturë, grafikë, filma të animuar, ilustrime e dizaine artistike ka një vijushmëri konceptuale, ku mund të gjesh në të njëjtën kohë mjeshtëri, magji artistike, individualitet dhe simbolikë të gërshetuar me mistikë dhe individualitet.
Vepra e Lekës paraqet qartë fijet e “padukëshme” të komunikimit ndërmjet “figurës” dhe “shenjës” dhe prirjes së artistit drejt shuarjes së kufirit midis tyre.
Në vitet 1995 - 2002 artisti eksperimentoi pikturimin mbi suporte druri, njëlloj siç veprohet në rastin e ikonave e në një mënyrë mjaft familiare për traditën tonë. Piktori krijonte ndërsa “digjte” me flakë, i ndërgjegjshëm për “tragjedinë” që pësoi ikona Shqiptare nga flakët e pas vitit 67, si dhe për adhurimin e dashurinë e popullit të thjeshtë për të, tek i nxirrte nga zjarri të nxira e të përzhitura për t’i ruajtur për kohën. Pikturimi mbi imazhe në këto suporte ka shpënë në krijimin e qindra veprave që paraqesin në vetvehte shpirtin e shqetësuar të artistit që admiron dhe dashuron artin e madh ikonografik shqiptar. Këto vepra, me përmasa përgjithësisht modeste, komunikojnë me publikun me një figuracion të thjeshtë, magjik e të koduar, sikur të përçonin tek ai frymën e stërlashtë të misionit të ikonës.
Në këtë mënyrë, me këto suporte druri dhe me mjete bashkëkohore, Leka realizoi ciklin 7 vjeçar me tema kryesisht biblike, sociale e personale, që bën të prekshme “plazmën” e fshehtë të shpirtit shqiptar, arketipin e energjisë shqiptare, ende e pashprehur dhe e paevidentuar. Historia e trojeve të copëtuara, padrejtësitë e kaluara e të tanishme, si dhe kaosi i tranzicionit anormal në Shqipëri kanë ndikuar fuqishëm në vetëdijen artistike të Lekës. Leka është në përgjithësi i përmbajtur dhe harmonioz për sa I përket trajtimit koloristik. Ai është i prirur drejt një graficiteti ekstrem dhe herë-herë kalon në tablo pothuajse grafike, me dominim të së zezës dhe aplikime delikate të “goditjeve” me ngjyra të bardha ose të kuqe, që të bëjnë të vrasësh mendjen ndërkohë që komunikon me tablotë e tij. Në kohët e fundit, nga panotë e drurit në format të vogël, Leka i është rikthyer telajos në format të madh dhe pikturimit të temave e imazheve të vizatimeve të para të tij.

 
  • Ilia Xhokaxhi
  • Biografia
Enter gallery..
  12
Ilia Xhokaxhi        
 
Tiranë 1948 - 2007
 
Ilia Xhokaxhi është një nga piktorët abstraksionistë shqiptarë të ditëve tona, që ka krijuar prej vitesh një individualitet artistik mjaft interesant. Xhokaxhi ka një krijimtari të gjerë në disa zhanre.
Pas mbarimit të Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, Xhokaxhi ka punuar për shumë vjet si piktor filmi në Kinostudion „Shqipëria e Re“ (sot „Albafilm“). Ai është autor i mbi 31 filmave artistikë shqiptarë dhe autor i mjaft skenografive në Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operas dhe Baletit, koncertet e muzikës dhe festivalet folklorike kombëtare.

Xhokaxhi ka një krijimtari të gjerë e të veçantë edhe në fushën e pikturës. I pasionuar pas tragjedive Shekspiriane dhe veprave të tjera të letërsisë botërore, Ilia Xhokaxhi jetoi me dhimbje ngjarjet tragjike të tranzicionit shqiptar të viteve 1990 -2005 dhe ka gjetur në to lëndën që i duhej për krijimin e cikleve piktorike “Shpatë dhe Hënë“ (1995), “Benedictus” (2000), “Makbeth” (2002) dhe “Blasfem - e kamës së thyer”, (2004). Në këto cikle piktorike Xhokaxhi e përqas dramën e shoqërisë shqiptare me një rreth ciklik të pambarimtë të ecurisë së saj drejt shpresës. Pathosi I shpirtit artistik të trazuar nga dramat shqiptare të së kaluarës të kohës që jetojmë reflektohet në të gjithë veprimtarinë e dhjetvjeçarit të fundit të piktorit. Mbi sfonde njëngjyrësh gri në të kaltërt, apo dhe të kuq të shuar drejt rozës “lëvizin” duke “rënë” nga lart imazhe dhe forma të çudiçme, simbole të gjëndjes së trazuar shpirtërore të artistit Xhokaxhi.

Situatat piktorike të tablove të Ilia Xhokaxhi mbeten gjithmonë brënda pikturës abstrakte meditative e simbolike. Lakonik në paletën piktorike, Xhokaxhi ka qenë për disa vjet I apasionuar pas sfondeve gri gati “të përgjumur”, ku imazhet e pikturuar janë gati gati të padeshifrueshëm për publikun e thjeshtë. Në tablotë e tij Xhokaxhi krijon dekorativitet herë më të qetë e herë më shpërthyes, gjithmonë brenda natyrës së tij. Piktori Ilia Xhokaxhi dialogon me një publik “elitar”, I cili ka kohë që e ndjek veprën e tij nëpër ekspozita vetiake, konkurse dhe veprimtari brenda e jashtë vendit. Veprat e piktorit Ilia Xhokaxhi ndodhen në fondin e GKA në Tiranë, në fondin e “MEZURAJ MUZE”, si dhe në koleksionet e shumë koleksionistëve brenda e jashtë Shqipërisë.

 
  • Pano Kondo
  • Biografia
Enter gallery..
  20
Pano Kondo        
 
Përmet 1954
 
Piktori Pano Kondo bën pjesë në brezin e piktorëve që janë formuar në Akademinë Shqiptare të pikturës në fundin e viteve tetëdhjetë (1974 – 1979). Ai është lindur në qytetin e Përmetit (1954) dhe e ka nisur formimin artistik në Liceun Artistik „Jordan Misja“ në Tiranë. Më vonë u futet studimeve për skenografi në AAB në Tiranë, në atelienë e prof. Shaban Hysa. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve, Kondo punon për 20 vjet me radhë si piktor skene në teatrin “Bylis” në Fier, ku ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ndryshimin e koncepteve ekzistuese skenografike dhe për aplikimin e mjeteve të reja shprehëse, brenda kufizimeve të kohës.
Arritjet profesionale në skenografitë e mbi 100 shfaqjeve teatrale, koncerteve, komedive e varieteve, si dhe kostumografitë mjeshtërore të realizuara prej tij, e bëjnë Kondon të vlerësuar me çmime dhe diploma të ndyshme.
Pano Kondo ka një krijimtari të pasur dhe interesante edhe në fushën e pikturës së kavaletit. Në peizazhet, natyrat e qeta dhe tablotë e tij kompozicionale ndihet prirja dekorative dhe një paletë plot drita e ngjyra. Peizazhet e Kondos dëshmojnë kujdesin e tij të veçantë për emocionin e përgjithshëm të veprës, edhe pse në to shpesh herë mungon imazhi njerëzor.
Në ciklin që Kondo i kushton Beratit „të verbon“ bardhësia e rrugicave të këtij qyteti. Në tablo të tjera të këtij cikli Berati pikturohet me mjaft dashuri dhe idealizohet si subjekt përrallash. Nga penelata delikate dhe transparente e ciklit të Beratit, Kondo kalon në tablo të tjera në një penelatë ekspresive, pastoze e mjaft të papritur, duke krijuar vepra me emocione të brendëshme të fuqishme. Ky kalim e prezanton Kondon si një piktor impulsiv dhe me shpirt “rebel piktorik“. Zakonisht këto tablo të tij janë të intonuara, por në disa natyra të qeta, veçanërisht, ky „ekuilibër“ prishet. Piktori Pano Kondo është një piktor bashkëkohor modern shqiptar, që ruan imazhin piktorik.
Frymëzimi i tij buron përgjithësisht nga natyra shqiptare dhe jeta e njerëzve të thjeshtë. Me gjithë atë Kondo kalon në disa vepra edhe në një komunikim simbolik, pasi elementët e përdorur prej tij në to janë të një gjuhe artistike minimalistedekorative. Piktori Pano Kondo ka qënë vazhdimisht i pranishëm me veprat e tij në ekspozitat, konkurset dhe veprimtaritë e tjera të arteve figurative, duke konsoliduar në vazhdimësi individualitetin e tij artistik.
 
  • Nestor Jonuzi
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Nestor Jonuzi        

******Coming soon******

 
  • Kol Gurashi
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Kol Gurashi        

******Coming soon******

 
  • Simon Rrota
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Simon Rrota        

******Coming soon******

 
  • Moikom Zeqo
  • Biografia
Enter gallery..
  2
Moikom Zeqo        

******Coming soon******

 
  • Vangjush Tusha
  • Biografia
Enter gallery..
  1
Vangjush Tusha        

******Coming soon******

 
Mezuraj Muze • Rr. Kavajës • Tiranë • Albania
© MEZURAJ MUZE Website nga informacioni.com